
Bashkëdrejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, konfirmoi pas takimit me përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentit arritjen e një marrëveshje që ata të përfshihen në diskutimet e komisionit, duke thënë se është gjetur një modalitet që opozita të ishte pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Kemi një marrëveshje mes palëve që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutimet e komision. Ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus. Me pak fjalë, është ajo që kemi nisur prej kohësh në Komisionin e Reformën Zgjedhore. Sistemi është objekt i këtij komisioni, por nuk është rekomandim i ODIHR. Gjetëm një modalitet që opozita të ishte pjesë e këtij komisioni. Mazhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitë dhe nëse ato janë në përputhje me ato të OSBE-ODIHR, atëherë do të pranohen”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së, theksoi se dokumenti i sotëm garanton atë që opozita ka kërkuar prej kohësh, që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus.
"Sapo dakordësuam dokumentin me të cilin ne si opozitë dhe pala tjetër ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i reformës zgjedhore, një kërkesë e hershme e opozitës.
Ky dokument sot garanton atë që ne kemi kërkuar prej kohësh që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe ky konsensus i arritur të qëndrojë deri në fund, të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë mekanizëm ne do të kemi edhe asistencën ndërkombëtare që do të na garantojë që konsensusi jonë të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare. Më se fundi, pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të ngrihet një mekanizëm, do të institucionalizohet një forum i cili do të jetë këshilli politik, i cili do të mandatojë më pas punën për të kryer të gjithë këtë reformë”, tha Bylykbashi.
Për përfaqësuesit e LSI-së, Petrit Vasili, dakordësia e sotme është një hap në lidhje me një moment të rëndësishëm për plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut për integrimin. “Është hedhur një hap në lidhje me një moment të rëndësishëm për plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut për integrimin dhe që e shëndosh një proces të sëmurë nga njëanshmëria për të ndërtuar një proces konsensualiteti dhe gjithëpërfshirje, por dhe me ato garanci të ekspertizës ndërkombëtare që garanton soliditet dhe adreson ato çështjet që janë shkaku i shkatërrimit të besimit të zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri kohët e fundit. Baza e parimeve krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të shprehen dhe të realizohet gjithëpërfshirja dhe konsuensualiteti që i ka munguar procesit dhe e ka bërë atë të mbeste në vend. Është hedhur një hap në këtë drejtim i rëndësishëm që do të ishte një mundësi për të ecur përpara dhe për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera dhe do hapte një proces politik në drejtim të rrugëtimit evropian që kishte mbetur në udhëkryq”, tha Vasili. (A2 Televizion)