Opozita ka vendosur të mandatojë Oerd Bylykbashin nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasilin nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të dakordësuar me Partinë Socialiste përfundimin e Reformës Zgjedhore. Të dy përfaqësuesit e opozitës parlamentare u takuan me Damian Gjiknurin nga Partia Socialiste dhe Rudina Hajdarin nga opozita parlamentare, për të diskutuar në lidhje me procesin e Reformës Zgjedhore.
Pasi bëri publik emrat e dy negociatorëve nga ana e opozitës jashtë Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi. “Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga ana e Partisë Socialiste”, tha Basha. “Sot, opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen dhe përfundimin e reformës zgjedhore dhe mandaton zotin Bylykbashi dhe Vasili për të dakordësuar mekanizimin për ecjen përpara”.
Basha shtoi se pikat kyçe të propozimit të opozitës janë 3
- Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
- Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
- Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.
Basha tha se përfundimi i reformës zgjedhore, një kusht i vendosur edhe nga Bundestagu gjerman, duhet përfunduar sa më parë. “Ajo i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që janë kyçe për zgjidhjen e krizës politike”, u shpreh kryedemokrati.
Basha falënderoi përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e dhënë në këtë drejtim dhe i bëri thirrje palës tjetër që të mos vonojë për uljen në një tryezë të përbashkët jashtë parlamentare. (A2 Televizion)