Dy “influencers” tuniziane, të famshëm në rrjetin social Tik-Tok, kanë marrë kritika të shumta në vendin e tyre pasi po përpiqen që t’i japin shkëlqim rrugëtimit të rrezikshëm dhe të mundimshëm të refugjatëve në Mesdhe, për të kaluar nga Afrika drejt Europës.
Ata janë parë të udhëtojnë me refugjatët nëpër varka dhe anije dhe të postojnë foto dhe video nga ky udhëtim, që për mijëra fatkeqë ka qenë edhe vdekjeprurës.
Chaima Ben Mahmoude, 21 vjeç, postoi në Tik-Tok një video duke përshëndetur ndjekësit e saj teksa ishte mbi një varkë që po udhëtonte nga Tunizia drejt Italisë. Varka ishte e tejmbushur me emigrantë, ku secili prej tyre mendohet se paguan mbi 1300 euro për të “prekur” Europën. Në video ajo shfaqet tepër e qeshur, krah 23 personave të tjerë, si dhe kërcen, si të ishte në një udhëtim turistik.
Në fakt, kjo është rruga më vdekjeprurëse e emigracionit të paligjshëm në botë. Sipas statistikave zyrtare, më shumë se 17 mijë persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në det që prej vitit 2014. Ben Mahmoude, e cila ka rreth 140 mijë ndjekës në Tik-Tok, pretendon se ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë udhëtim për 188 kilometra, sepse fiton vetëm 100 euro në muaj në Tunizi duke punuar në një floktore.
Një muaj më parë, një 18-vjeçare e quajtur Sabee al Saidi, postoi fotografi të ngjashme të vetes, teksa lëkundej mbi varkën e drunjtë me të cilën po udhëtonte drejt Italisë. Të dyja vajzat mbërritën në Lampeduza e më pas udhëtuan në qytete të ndryshme të Europës, duke u treguar ndjekësve të tyre në atdhe foto para Kullës Eiffel, apo duke ngarë makina të shtrenjta. Por pas publikimit të fotografive në mediat lokale dhe Asociated Press, ato i fshinë fotot.
Ato janë kritikuar në Tunizi, pasi duket sikur po normalizojnë një udhëtim që për shumë afrikanë, bëhet për jetë a vdekje. Në postimet e tyre, thonë kritikët, refugjatët që kërkojnë një jetë më të mirë, shohin një perspektivë të gabuar të Europës.
Ekspertët paralajmërojnë se sjellja e dy vajzave, të cilat ndiqen bashkë nga rreth 2 milionë ndjekës në Tik-Tok dhe Instagram, mund të frymëzojë shumë të tjerë të ndërmarrin udhëtimin vdekjeprurës. “Rrjetet sociale japin një pamje jo të saktë të Europës”, tha Matt Herbert, menaxher kërkimor në organizatën Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar.
Tunizia është një prej pikave kryesore të nisjes së varkave me refugjatë, ku mijëra vendas u bashkohen afrikanëve të tjerë por edhe emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët duan të kapin “Kontinentin e Vjetër”. Edhe pse dikur vendi ishte destinacion turistik popullor dhe shtresa e mesme po lulëzonte, ekonomia ka pësuar rënie të ndjeshme në vitet e fundit dhe papunësia ka kapur shifrën 18%, si pasojë edhe e pandemisë së koronavirusit. Vetëm në vitin 2021, autoritetet kapën më shumë se 23 mijë emigrantë që përpiqeshin të largoheshin nga Tunizia, një rritje e ndjeshme me vitin 2019, kur u kapën vetëm 5000 vetë. (A2 Televizion)