Dy sfida vendimtare. Dy ndeshje që duhen fituar për të shpresuar fitimin e Grupit 2 në Ligën B të Nations League. Shqipëria luan kundër Izraelit dhe Islandës, por kuqezinjtë janë në emergjencë në mbrojtje.
Dy titullarët e padiskutueshëm Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla janë të dëmtuar, ashtu sikurse edhe alternativa Kastriot Dermaku. Në situatën e krijuar, trajneri Edi Reja rikthen në skuadër Arlind Ajetin dhe Albi Dokën. Ajeti grumbullohet për herë të parë pas 15 muajve mungesë. Mbrojtësi që aktivizohet te Porderone në kategorinë e tretë italiane, ka qenë pjesë e grupit në miqësoren e qershorit 2021 kundër Republikës Çeke.
Edhe Doka rikthehet pas afërsisht një viti mungesë. Hera e fundit në Kombëtare ishte kualifikuesja e Botërorit kundër Andorrës, në nëntor të2021-shit. Duke vlerësuar hapësirat në dispozicion dhe për ta ndihmuar të ambientohet me Kombëtaren, trajneri ka thirrur sërish talentin e Benfikës, Adrian Bajrami.
Në mesfushë është përfshirë edhe Keidi Bare, pavarësisht se ylli i Espanyol është në dyshim për shkak të problemeve fizike, ndërsa në sulm mungon Rey Manaj, i cili është operuar së fundmi. Si alternativa në repartin ofensiv janë Broja, Uzuni, Seferi dhe Cikalleshi.
Kombëtarja zbret fillimisht në fushë më 24 shtator në trasfertën me Izraelin, ndërsa ndeshja e fundit në Nations League është ajo përballë Islandës, në datën 27 shtator. (A2 Televizion)
