Nota 5 që mori Shqipëria në testimin e PISA është realiteti ku ndodhet arsimi në vendin tonë. Ky është qëndrimi i specialistëve të cilët thonë se problemet në shkolla sot janë komplekse, nga programet e teksteve e deri tek formimi i mësuesve.

“Tekstet e gjimnazit të klasave të 10 dhe 11 janë pothuajse përsëritje. Kur këto nxënës të shkojnë në universitet do të kenë vështirësi për ta kapur programet e universitetit, sepse universiteti bazohet tek programet e mëparshme të shkollave”, thotë ish-drejtuesi i monitorimit të teksteve në Ministrinë e Arsimit, Agim Duka. Duka thotë se arsimi duhet t'i nënshtrohet një reforme të thellë në funksion të cilësisë.
“Duhet të ndryshoje gjithçka, nga përzgjedhja e mësuesve me një portal. Nuk kemi reformë të teksteve, i kemi vënë kryqin”, vijon Duka.
Ndërsa prindërit i kërkojnë ministrisë t’i japë fund eksperimenteve me librat shkollore. “Duhet të kemi një tekst të vetëm për të gjithë”, thonë ata.
Ndryshe nga tre vjet me pare, ku ministria e Arsimit vlerësoi arritjet e nxënësve dhe vendin e 51 që zuri Shqipëria në testimin e PISA, sot kur Shqipëria ka rënë me 10 vende, ky dikaster refuzon të reagojë.
Madje, përmes një qëndrimi zyrtar, ministria e Arsimit njofton se puna e saj është fokusuar tek situata pas tërmetit. Ndërsa për rezultatet e dobëta të testimit ministria thotë se do të reagojë në një moment të dytë, ndoshta në fillim të vitit 2020.
Në provimin PISA 2018, nxënësit shqiptarë arritën nivelin e dytë nga pesë që kishte testimi dhe rezultatet më të dobëta ishin në fushën e leximit. (A2 Televizion)