
Një herë e një kohë në Gjirokastër muzika, vallja dhe kostumet e trashëguara brez pas brezi, por edhe krijimet e reja bëheshin bashkë në një festival kombëtar folklorik.
Jehona e këtij festivali do të rikthehet. Ministria e Kulturës e konfirmoi këtë gjatë prezantimit të projekteve të reja artistike që do të marrin jetë gjatë këtij viti.
Kostoja e festivalit pritet të jetë 120 milionë lekë, njëlloj sa edhe prezantimi i Shqipërisë në Bienalen e Venecias, dhe vetëm pak më pak nga shuma e dedikuar për artizanin.
Institucionet e kulturës në kantier ishin një hallkë tjetër e shpenzimeve buxhetore, ndonëse 21 prej këtyre kantiereve ndihmohen financiarisht nga Bashkimi Europian apo fonde të tjera të mbledhura pas tërmetit.
Xhubleta në UNESCO, Bienalja e Venecias, marrëveshja me SHBA për trashëgiminë kulturore, si dhe rikthimi i ikonave të humbura apo të trafikuara në vend janë katër arritjet kryesore të Ministrisë së Kulturës për vitin 2022, ndërsa mes nismave që kanë nisur një vit më parë e që do të vijojnë implementimin renditi, atë të bonusit të rijetëzimit, artin në hapësirat publike si dhe javët e kulturës ndërkombëtare. (A2 Televizion)