
1 vit pasi yjet e kinematografisë dhe televizionet amerikane bojkotuan Golden Globes, mes skandaleve për shkelje etike, ceremonia e çmimeve u rikthye plot shkëlqim në Hollywood pas një reformimi të rëndësishëm.
Komedia e zezë "The Banshees of Inisherin" fitoi tre çmime të rëndësishme, përfshirë për filmin më të mirë muzikal ose komedi, skenarin dhe aktorin më të mirë protagonist, Colin Farrell.
I vendosur në një ishull të largët të Irlandës, filmi tregon historinë e dy miqve që ndahen, pasi një prej tyre vendos t’i japë fund marrëdhënies në mënyrë të papritur.
Filmi autobiografik i Stiven Spilberg, “The Fablemans”, ishte gjithashtu një prej fituesve të mëdhenj, duke marrë çmimin e dramës më të mirë. Spilberg u shpall gjithashtu si regjistori më i mirë për filmin që tregon historinë një djali të ri, i bazuar te vetë Spilberg, i cili bie në dashuri me filmat.
Komedia “Abbott Elementary”, “House of the Dragon” dhe komedia e zezë satirike “The White Lotus” ishin mes fitueseve në kategoritë e televizionit.
Austin Butler u vlerësua si aktori më i mirë në një film dramatik për interpretimin e Elvis Priesley në “Elvis”.
Cate Balnshet u shpall aktorja më e mirë për performancën në “Tar”. Shumë prej fituesve e pranuan çmimin personalisht, pavarësisht spekulimeve se yjet do të qëndronin larg ceremonisë për shkak të polemikave që shpërthyen në 2021, lidhur me pretendimet për racizëm dhe manipulime në zgjedhjen e fituesve.
Të pranishmëve ju drejtua me një videomesazh edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se vendi i tij do të ndalë pushtuesit, por se do të ketë beteja të tjera dhe lot.
Në fjalimin emocionues, ai pohoi se nuk do të ketë një Luftë të Tretë Botërore. (A2 Televizion)