Rikthehet Ora Dimërore, akrepat shkuan 60 minuta prapa

Nga A2 CNN
27 Tetor 2019, 08:18 | Aktualitet
Rikthehet Ora Dimërore, akrepat shkuan 60 minuta prapa

Ndryshimi i orës të dielën e fundit të muajit tetor është shenja që po futemi në errësirën e dimrit. Në orën 03:00 të së dielës, akrepat u kthyen mbrapsht me 60 minuta duke na bërë të fitojmë 1 orë më shumë gjumë, por në këmbim do të errësohet më shpejt.

Kalimi nuk është pa efekte në organizmin tonë dhe mund të shkaktojë disa shqetësime. Zhvendosja e akrepit të orës mund të krijojë vështirësi të ndryshme, veçanërisht për më të ndjeshmit, të cilët do të hasin probleme në përshtatje.

Ekspertët ndërkombëtarë, tregojnë se edhe pse bëhet fjalë për një ndryshim minimal me 60 minuta, fiziku i njerëzve kërkon mesatarisht një javë për t’u përshtatur. E gjitha varet nga ora jonë biologjike, që lidhet me ritmet cirkiane, të cilat gjenden në vështirësi kur ndodhin ndryshime të papritura si kalimi nga ora verore në atë dimërore. Simptomat më të zakonshme janë lodhja, nervozizmi dhe humbja e përqendrimit dhe produktiviteti në punë.

Por fenomeni i ndryshimit të orës mund të përfundojë njëherë e mirë, të paktën në Europë. Sipas Parlamentit Europian, shtetet e BE-së nuk do të ndryshojnë më akrepat duke nisur nga viti 2021.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos