13 nëntor 2026, dita e fundit e botës? Teoria shkencore e vitit 1960 që parashikoi fundin e njerëzimit

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 16:53 | Bota

13 nëntor 2026, dita e fundit e botës? Teoria shkencore e vitit 1960

Një teori matematikore e publikuar 66 vite më parë parashikonte se njerëzimi do të arrinte fundin më 13 nëntor 2026. Data e sotme, e premte, u rikthye në vëmendje ditët e fundit në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime për një profeci që, në fakt, nuk ishte parashikim apokaliptik, por një provokim shkencor.

Gjithçka nisi në nëntor të vitit 1960, kur fizikani dhe kibernetisti austriako-amerikan Heinz von Foerster, së bashku me studiuesit Patricia Mora dhe Lawrence Amiot nga Universiteti i Illinoisit, publikuan në revistën shkencore Science studimin me titullin “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026” (Dita e Gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026).

Duke analizuar të dhënat historike të popullsisë botërore nga viti 400 para Krishtit deri në vitin 1958, studiuesit vunë re se popullsia nuk po rritej me ritëm konstant, por me përshpejtim. Duke projektuar këtë tendencë në të ardhmen, modeli matematikor arrinte në një pikë ku popullsia do të bëhej teorikisht e pafundme, duke e bërë të pamundur mbijetesën për shkak të mungesës së hapësirës dhe burimeve.

Data 13 nëntor nuk ishte zgjedhur rastësisht. Ajo përkonte me ditëlindjen e vetë von Foersterit, ndërsa në vitin 2026 kjo datë binte të premten, ditë që në kulturën anglosaksone lidhet me bestytnitë. Një kombinim që i dha titullit të studimit edhe më shumë efekt.

Megjithatë, qëllimi i studiuesve nuk ishte të paralajmëronin fundin e botës, por të tregonin përmes një modeli matematikor se rritja e pakufizuar e popullsisë nuk mund të vazhdonte pafundësisht dhe se njerëzimi duhej të gjente një ekuilibër.

Parashikimi rezultoi i tejkaluar nga zhvillimet demografike. Që prej viteve 1970, ritmi i rritjes së popullsisë botërore nisi të ngadalësohej ndjeshëm, kryesisht për shkak të rënies së lindshmërisë dhe ndryshimeve sociale e ekonomike.

Sipas projeksioneve aktuale të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore, që sot llogaritet rreth 8.2 miliardë banorë, pritet të vijojë të rritet me ritme gjithnjë e më të ngadalta dhe të arrijë kulmin rreth 10.3 miliardë banorë në mesin e viteve 2080, përpara se të pësojë një rënie të lehtë deri në fund të shekullit.

Prandaj, me shumë gjasa, pasardhësit tanë do të bëjnë përsëri pyetjen ekzistenciale: në çfarë ore do të mbarojë bota? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos