Mbi 9 muaj nga tragjedia për një pjesë të familjeve që nuk kanë shpresë. Tërmeti i 26 nëntorit shkundi jo vetëm shtëpitë e Thumanës, por dhe pluhurin që kishte mbuluar ndër vite parregullsitë në dokumentet e tyre të pronësisë.
Nga bashkia e Krujës pohohet se problemet me këto dokumente dhe vështirësitë në shpronësime, ishin ndër arsyet e vonesës së punimeve për ndërtimin e lagjes së re pranë fushës së sportit.
Në zonë po punohet. Për t’iu përshtatur projektit të ri po shemben jo vetëm shtëpitë e pabanueshme, por dhe të tjera që nuk kishin pësuar dëme të rënda. Rast i tillë është ai i Besnik Gjucit, i cili duhet të boshatisë banesën e tij deri të premten.
“Lajmëruan nga Komuna, duhet të largosh gjërat. Unë kam kërkuar vlerë monetare, jam pajtuar me to, në qoftë se i marr, normalisht”, thotë Pjetri.

Por pak metra më tutje ka ende banorë që jetojnë në çadra, disa kanë marrë lekët e po i ndërtojnë vetë, por ka dhe raste të çuditshme si ai i familjes Xhixha.
Pjesëtarët e familjes Xhixha kishin ndërtuar shtëpitë në tokën e babait, brenda të njëjtit oborr. Pas tërmetit të nëntorit, u zhvendosën në një çadër e më pas u futën në listën e trajtimit me bonus qiraje. Por vetëm një muaj më parë, sipas Lirie Xhixhës, u zbulua se një pjesë e pronës së tyre figuronte në emër të tjetërkujt, çka e bënte të pamundur përfitimin e rimbursimit apo dhe një banese të re. "Rezultoj se banoj në liqenin e Thumanës, ndërkohë që familja ime ka 120 vjet që banon këtu", thotë ajo.

Në çadra, sipas bashkisë Krujë, po qëndrojnë shumë familje të tjera në zonë, pasi druhen të braktisin shtëpitë e tyre, edhe pse kanë përfituar nga bonusi i qirasë. Ndërsa viti i ri shkollor po afron, problemeve u shtohet mungesa e shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe mësimi në kushte pandemie në shkollat e tjera.
Bashkia thotë se do të paguajë transportin dhe për nxënësit të cilët duhet të zhvillojnë mësimin në fshatra të tjera. Por Vitore Pjetri thotë se nuk ka përfituar ndihmë për 4 fëmijët e saj. Vitorja me të bijën thonë se paguajnë 15 mijë lekë furgonin për të shkuar në shkollë në Mamurras.
Thumana ishte ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, me shumë jetë të humbura dhe shtëpi të dëmtuara. (A2 Televizion)