Policia në Hong Kong ka shpërndarë turmën e protestuesve me gaz lotsjellës, në protestën e parë pro-demokracisë që kur Kina shpalli planet për të vendosur një ligj të ri për sigurinë në këtë territor.
Qindra demonstrues marshuan drejt qendrës së qytetit, ndërsa më herët mbi 200 ish-zyrtarë e politikanë nga e gjithë bota firmosën një deklaratë të përbashkët, në të cilën kritikonin vendimin e Kinës. Ata e quajtën këtë vendim, një shkelje të autonomisë së Hong Kongut, një shkelje e hapur e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Ky ligj, sipas tyre, mund të dëmtojë edhe investimet e huaja në Hong Kong, që është një qendër e rëndësishme financiare.
Forcat e policisë, përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve, duke mbajtur edhe maskat mbrojtëse, kundër përhapjes së koronavirusit.
Autoritetet ndërkohë e quajtën protestën të paligjshme, në shkelje të rregullave të distancimit social, vendosur përgjatë periudhës së pandemisë.
Që prej fillimit të protestave pro-demokracisë vitin e shkuar, mbi 8300 protestues janë arrestuar. (A2 Televizion)