
Katër skuadra në garë për dy biletat e finales së 26 majit në Poloni. Mbrëmja e sotme është vendimtare për fatet e edicionit në Europa League, ku shtatë ditë pas sfidave të para, tani luhen edhe gjysmëfinalet e kthimit.
Roma kërkon mrekullinë përballë Manchester United. Pas disfatës 6-2 në “Old Trafford”, italianët e kanë të qartë që shanset për t’u kualifikuar janë thuajse zero. Pesë golat e pësuar në pjesën e dytë të ndeshjes, bëjnë që Roma të ketë nevojë për një mrekulli, sepse për të siguruar vendin në finale duhet të fitojë me rezultatin 4-0 ose 5-1.
Në anën tjetër, gjithçka duket e hapur në gjysmëfinalen, ndërmjet Arsenalit dhe Villarreal. Spanjollët fituan 2-1 në ndeshjen e parë, të luajtur në shtëpi, por ai gol i realizuar nga Pepe me penallti i jep shpresa “topçinjve”.
Arsenali do të paraqitet në fushë me të gjithë potencialin ofensiv për të përmbysur rezultatin. Diçka e nevojshme edhe sepse kundërshtarët e drejtuar nga Emeri do të provojë të mbrojë avantazhin. Me United thuajse të kualifikuar dhe Arsenalin që ka shanse të mira, anglezët shpresojnë të përsërisin edicionin e vitit 2019, kur katër skuadra ishullore luajtën në finalet e Champions dhe Europa League. (A2 Televizion)