
Sali Berisha u ka bërë thirrje punonjësve të policisë të mos mbrojnë kryeministrin Edi Rama dhe të mos përdorin forcë ndaj studentëve e gjimnazistëve që protestojnë.
Ai akuzoi Ramën se i ka zhytur institucionet shtetërore në drogë dhe krim, si dhe se ka përvetësuar miliarda euro nga taksat e qytetarëve. Sipas kreut demokrat, kryeministri Rama është përgjegjës për përshkallëzimin e protestave, duke nxitur reagimin e të rinjve.
“Mos qëlloni mbi studentët, mbi gjimnazistët, dorëzoni kapelet, dorëzoni detyrën”, u shpreh Berisha, duke u kërkuar efektivëve të refuzojnë urdhrat që, sipas tij, mund t’i përfshijnë në veprime të paligjshme.
Kreu i PD-së i cilësoi protestuesit si të rinj guximtarë që kërkojnë t’i japin fund asaj që ai e quajti “diktatura e drogës dhe krimit”.
Deklarata e Berishës
Edi Rama sot në analizën e tij tregoi urrejtjen e shfrenuar dhe të papërmbajtur ndaj qytetarëve shqiptarë që kërkojnë të drejtat e tyre.
Tre javë më parë në sallën e OKB ai i deklaroi ata antisemitë duke besuar se do të gënjente në këtë mënyrë botën për qëndrimet që mbajti.
Tani i quan terroristë.
I quan ANTIFA.
Edi Rama, në shkallë absolute papërgjegjshmërie, deklaron se me protestat e dhunshme nuk nënshtrohet.
Çfarë bëri ai me protestën paqësore pesëmujore?
Në qoftë se protesta ka marrë këto përmasa dhe këto nuanca, ai është autori kryesor, qëndrimet e tij.
U përpoq edhe kësaj radhe të gjente strehë aty ku horrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë strehohen.
U përpoq të bindë se qenka Rusia e Irani etj, prapa gjimnazistëve dhe studentëve shqiptarë.
Si kriminel lau duart nga çdo përgjegjësi.
Bëri thirrje forcave të rendit të shndërrohen në mburojë të tij.
Por unë jam këtu për t’u bërë thirrje punonjësve të policisë shqiptare, mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuaj gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar.
Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet e tjera të shtetit në drogë dhe krim.
Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliarda e miliarda euro nga taksat dhe djersa juaj dhe e qytetarëve.
Mos mbroni një regjim që është sjellë më keq se çdo pushtues me shoqërinë shqiptare.
Frymëzohuni edhe ju nga këta djem dhe vajza guximtarë që duan të hedhin mënjanë diktaturën e drogës dhe krimit.
Mos qëlloni mbi studentët, mbi gjimnazistët, dorëzoni kapelet, dorëzoni detyrën.
Mos të shkoni dhe të merrni numra false siç po u detyrojnë të transformoheni totalisht në atë që nuk jeni.
Të denatyroheni për të kryer krime.
I refuzoni ato.
Përballë jush qëndron krimi monstruoz i kryeministrit, familjarëve të tij, ministrave të tij
(A2 Televizion)