Romantiku i fundit i futbollit... Kampioni i botës përmbush premtimin ndaj gjyshes, bën sot debutimin e ëndrrave

Nga A2 CNN
25 Korrik 2021, 16:24 | Futboll

Ka fituar Kupën e Botës, kampionatin gjerman, Kupën e Anglisë dhe ka një karrierë 18-vjeçare për t’u pasur zili. Por Lukas Podolski po e realizon vetëm sot, në moshën 36-vjeçare, ëndrrën e tij më të madhe.

Ish-sulmuesi i Gjermanisë do të debutojë të dielën në mbrëmje për klubin për të cilin ka bërë tifozeri në fëmijëri, Gornik Zabrze, në kategorinë e parë të kampionatit polak, duke mbajtur kështu një premtim të vjetër të bërë ndaj gjyshes.

Podolski u lind në qytezën polake Glivice, ngjitur me Zabrze-n, dhe pavarësisht se u largua për në Gjermani me prindërit, u rritur duke mbështetur Gornik, që vlerësohet gjerësisht si skuadra e dytë më e suksesshme në Poloni.

Ish-sulmuesi i Koln, Bayern, Arsenal e shumë skuadrave të tjera, mund të ketë luajtur 130 ndeshje me kombëtaren gjermane, por kurrë nuk i ka harruar rrënjët polake. Bashkëshortja e tij, Monika, është polake dhe fëmijëve u flasin polonisht. Lidhjet e tij me krahinën e Silesias ishin veçanërisht të forta për shkak se shkonte shpesh atje për të takuar gjyshen Zofia, gjithashtu tifoze e Gornik, si gjithë familja Podolski.

“Në Poloni na pëlqen Poldi dhe jo aq shumë Miroslav Klose. Të dy janë polakë, por Klose nuk ka folur kurrë për mediat polake, nuk fliste polonisht dhe ishte krenar kur këndonte Himnin gjerman”, tha për BBC gazetari sportiv Marek Wawrzynowski. “Podolski u fliste polakëve në gjuhën e tyre dhe nuk festoi kur i shënoi dy gola Polonisë në Euro 2008. Njerëzit e ndjenjë si njërin prje tyre”.

Në vitin 2012, disa muaj para se të kalonte tek Arsenal nga Koln, ai deklaroi: “I ndjek ndeshjet e Gornik ne televizor ose në internet dhe jam shumë i lumtur që kanë ndërtuar një stadium të ri. Ëndërroj të luaj atje”.

Drejtori sportiv i Gornik në atë kohë, Krzysztof Maj, gjithmonë e mirëpriste krahëhapur dhe të dy u bënë shpejt miq. Podolski i premtoi se në fund të karrierës do të luante për Gornik. Këtë premtim ia bëri edhe gjyshes Zofia, e cila priti me durim që të vinte dita.

Asnjëri prej tyre nuk jetoi dot për ta parë. Maj ndërroi jetë nga një atak në zemër në vitin 2015, kur ishte vetëm 39 vjeç. Ndërsa gjyshja e Podolskit vdiq në vitin 2019. Në atë kohë, ai shkroi në Instagram: “Kur isha i vogël luaja futboll me ty. Më bërë ky që jam sot. Gjithmonë besove tek unë dhe ëndrrat e mia dhe bashkë fituam medaljen e kampionit të botës”.

Në janar 2020, Poldi firmosi me Antalyaspor, pasi kishte luajtur me Galatasaraj dhe Kobe në Japoni. Tifozët e Gornik nuk e besonin më që ai do të vishte një ditë fanellën e skuadrës së tyre. “Lukas thoshte gjithmonë që do të luante në Poloni, por gjithmonë zgjidhte skuadër tjetër. Gradualisht u bë si barcoletë... “Kur Podolski të firmosë me Gornik” përdorej si shprehje për diçka të pamundur”, tregon gazetari Piotr Kozminski për BBC Sport.

Por ja që e pamundura u bë realitet. Sulmuesi veteran refuzoi në verë ofertën e klubit meksikan Queretaro dhe firmosi për një vit me Gornik, me opsionin për të luajtur edhe një tjetër vit. “Do të fitonte gjashtë apo shtatë herë më shumë nëse do të shkonte diku tjetër. Por paratë nuk janë të rëndësishme tani për të”, tha Kozminski.

Gornik (emri do të thotë “minator” në polonisht) është një prej klubeve historike të Polonisë dhe e vetmja skuadër polake që ka arritur të luajë në finalen e një kompeticioni europian, kur humbi në vitin 1970 kundër Manchester City-t në finalen e Kupës së Kupave. Në Poloni e ka fituar 14 herë kampionatin nga viti 1957 deri në vitin 1988, por vuajti shumë pas rënies së komunizmit dhe dobësimit të industrisë së minierave.

Aftësitë e tyre financiare janë shumë modeste dhe në vitin 2008 ranë nga kategoria. Ndërsa sezonin e kaluar u renditën në vend të 10. Mbërritja e Podolskit i rrit moralin klubit historik pikërisht në një moment kur kërkon të ringrihet në nivelet e dikurshme.

Kur Podolski u prezantua rreth 10 mijë tifozë mbushën stadiumin dhe zëri i tyre oshtinte në të gjithë hapësirën. Ndërsa fanellat e numrit 10 po shiten me shpejtësi. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos