
Sa rrezikojnë marrëveshjet e sotme në Berlin mes liderëve të Ballkanit Perëndimor të zbehin dhe ta shndërrojnë në një instrument të pavlefshëm Open Balkan?
Sipas Odeta Barbullushit, këshilltare e kryeministrit Rama për politikën e jashtme dhe koordinatore kombëtare për zonën ekonomike rajonale, nuk ka mbivendosje. “Agjenda e Open Ballkan ka qenë e bazuar mbi Procesin e Berlinit, siç ndodh për qarkullimin me ID, njohja e diplomave etj. Pikërisht bashkëpunimi midis vendeve të Open Ballkan ka krijuar një lloj presioni pozitiv për vendet e tjera për të pasur një finalizim të negocimit të këtyre marrëveshjeve. Mendoj se është një moment i ri politik, një vullnet politik më i madh nga ana e Gjermanisë, por që momenti politik midis Kosovës dhe Serbisë ka krijuar kontekstin e duhur që të kemi këto marrëveshje”, tha Barbullushi në A2 CNN.
Sipas saj, “agjenda e Open Ballkan ka qenë e përqendruar në katër liritë, për t’iu përgjigjur kërkesave që vinin nga bota e biznesit, dhe në këtë aspekt është arritur goxha. Por të shohim eksportet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, kemi rritje më shumë se 50%. Të njëjtën marrëveshje edhe më preferenciale ne kemi me Kosovën, pra janë në shina të ndryshme”. (A2 Televizion)