
Rritja e çmimeve po zbraz xhepat e qytetarëve e po mbush arkën e shtetit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në harkun e muajve janar-maj, të ardhurat arritën në mbi 233 miliardë lekë.
Shpenzimet nga ana tjetër mbetën në nivele të ulëta. Nga të dhënat rezulton se nga Buxheti i Shtetit dolën rreth 213 miliardë lekë, kryesisht për investime të planifikuara më herët.
Të ardhurat në masë të kënaqshme dhe shpenzimet me kursim bënë që bilanci i ekonomisë së vendit në 5 muajt e parë të vitit të mbyllej pozitivisht, me gati 17 miliardë lekë.
Për qeverinë, kjo periudhë po rezulton e mbarë, pasi po mbledh para si kurrë më parë. Nga ana tjetër, qytetarët janë të humburit e mëdhenj nga dallga e rritjes së çmimeve, të cilët po paguajnë më shtrenjtë për ato që konsumojnë.
Ministria e Financave ka njoftuar ndërkohë që nëse rritje e çmimeve vijon, një pjesë e të ardhurave shtesë do të shkojë për qytetarët në formë të ngjashme me paketën e rezistencës, 3 000 lekë. (A2 Televizion)