Rusia bombardon banorët në Odesa, të paktën 18 viktima

Nga A2 CNN
1 Korrik 2022, 07:33 | Bota
Rusia bombardon banorët në Odesa, të paktën 18 viktima

Një tjetër natë tmerri në Ukrainë. në shënjestër të tërbimit rus është vënë këtë herë qyteti port i Odesës, ku raketat goditën një pallat shumëkatësh dhe një qendër rekreative. Bilanci fillestar flet për të paktën 18 viktima, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Të mitur dhe një grua shtatzënë janë mes 30 personave të plagosur. Raketat mbi bllokun e apartamenteve në Belgordon-Dniester u lëshuan nga avionë strategjik T-22, që vinin nga Deti i Zi. Të paktën 8 vetë u nxorën të gjallë nga rrënojat.

Zjarri rus shënjestroi edhe zonën portuale të Mikolaivit në jug të Ukrainës ku, siç thuhet, janë lëshuar armë të ndaluara thërrmuese. Disa persona kanë humbur jetën sipas kryebashkiakut Oleksandr Sienkovich, pasi të paktën 10 raketa ishin lëshuar në harkun kohor të 25 minutave.

Sakaq, Presidenti Volodymyr Zelensky vlerësoi forcat e armatosura ukrainase, pas tërheqjes së trupave ruse nga ishulli i gjarpërinjve. Tërheqja, sipas tij, ndryshon në mënyrë të konsiderueshme situatën në Detin e Zi. “Ishulli i gjarpërinjve është një pikë strategjike. Tërheqja e ushtrisë ruse ndryshon situatën në Detin e Zi. Ende nuk na garanton sigurinë, nuk garanton se armiku nuk do të rikthehet, por kufizon në mënyrë të konsiderueshme veprimin e pushtuesve. Hap pas hapi e do t’i sprapsim nga deti, toka dhe qiejt tanë”, tha Zelensky.

Paralelisht me sulmet ajrore në qytete të ndryshme të Ukrainës, Rusia vijon ofensivën intensive në lindje të vendit. Pasi mori kontrollin e Severodonetsk, ushtria e Moskës po përpiqet të rrethojnë nga jugu e veri forcat e rezistencën në Lisicansk, qytet tjetër i rëndësishëm në rajonin e Luhansk. Ushtria e Kievit po përballet me zjarr të vazhdueshëm artilerie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos