
“Mariupoli është yni”. Me këto fjalë, Moska kurorëzon atë që e quan operacion të suksesshëm në Mariupol, qytet që sipas presidentit Putin është tani në duart e rusëve.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Sergej Shoigu, i cili informoi shefin e Kremlinit lidhur me situatën në terren, mbi 4 mijë nga rreth 8 mijë ushtarë të batalioneve nacionaliste dhe mercenarë të huaj të pranishëm në Mariupol, janë eliminuar gjatë çlirimit të qytetit.
Putin urdhëroi ushtrinë të anulojë planet për mësymjen e fabrikës së hekurit dhe çelikut Azovstal ku janë strehuar forcat e mbetura të rezistencës, bashkë me qindra civilë. Ai tha se nuk do të rrezikonte jetën e trupave ruse dhe urdhëroi që operacioni të fokusohej në bllokimin e mëtejshëm të impiantit metalurgjik, në mënyrë që asnjë mizë të mos dalë prej andej, siç u shpreh.
“E konsideroj të panevojshme mësymjen e zonës industriale dhe të urdhëroj ta anulosh. Ky është rasti ku duhet të mendojmë për ruajtjen e jetëve të ushtarëve tanë. Nuk ka nevojë të hyjmë në katakombet dhe të zvarritemi nëntokë. Bllokojeni zonën industrial në mënyrë që asnjë mizë të mos dalë prej andej”, u shpreh Putin.
Sipas ministrit rus të Mbrojtjes Shoigu, më shumë se 2 mijë luftëtarë ukrainas janë ende në bunkerët nëntokësorë të impiantit. Moska u lëshoi një seri ultimatumesh për t’u dorëzuar nëse nuk donin të vdisnin, por mbrojtësit e qytetit jugor refuzuan të ulnin armët.
Më herët, negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, i propozoi Rusisë të zhvillonin bisedime speciale në Mariupol, pa parakushte.
Mbi 120 mijë qytetarë thuhet të jenë të bllokuar në qytetin-port, me disa prej tyre që mund të evakuoheshin gjatë ditës së mërkurë. Korridorë humanitarë për evakuimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve janë njoftuar edhe këtë të enjte, me gjithë situatën e vështirë të sigurisë. (A2 Televizion)