Rusia sulmon stacionet e trenave në Ukrainë, 5 viktima

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 11:00 | Bota
Rusia sulmon stacionet e trenave në Ukrainë, 5 viktima

Sirenat e luftës janë dëgjuar sërish në qytetet rreth Ukrainës, përfshirë Lvivin në kufi me Poloninë.

Autoritetet ukrainase raportuan se 5 stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore dhe perëndimore ishin vënë në shënjestër të sulmeve. 5 persona humbën jetën dhe 18 të tjerë mbetën të plagosur.

Në Krasne, afër Lvivit, u godit një objekt që merrej me furnizimin me energji elektrike për linjat ajrore. Sakaq, trupat ruse kanë vijuar bombardimet ndaj impiantit metalurgjik në qytetin-port të Mariupolit dhe sipas Institutit për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, mund të jenë duke u përgatitur për një ofensivë të re në fabrikën ku janë strehuar forcat e mbetura të rezistencës dhe një sërë qytetarësh.

Ekspertët mendojnë se qëllimi i komandantëve rusë mund të jetë edhe të vdesin urie forcat ukrainase.

Oleksandr Shtupun, zëdhënës i Forcave të Armatosura, tha: “Në drejtim të Donetskut dhe Taviriia, armiku sulmoi me artileri pozicione të forcave të armatosura të Ukrainës. Në qytetin e Mariupolit armiku bombardoi pozicione të trupave tona në impiantin e Azovstal”. 

Sakaq, ka dështuar tentativa për evakuimin e civilëve që gjenden në bunkerët e fabrikës së çelikut Azovstal. Rusia tha se u pajtua për një armëpushim të përkohshëm në atë zonë të Mariupolit, por ushtria ukrainase dhe civilët nuk kanë pranuar të dalin nga frika se e gjithë kjo mund të ishte një kurth, pasi nuk ka kushte të mjaftueshme për sigurinë.

Ndërkohë, sipas raportit të fundit të inteligjencës britanike, Rusia ka bërë përparime të vogla që kur zhvendosi fokusin te pushtimi i plotë i rajonit lindor të Donbasit. Por, siç thuhet, pa një mbështetje efikase logjistike dhe luftarake, trupat e Vladimir Putinit ende nuk ia kanë dalë të sigurojnë ndonjë fitore të rëndësishme.

Qeveria britanike vlerëson se që prej nisjes së luftës, Rusia ka humbur 15 mijë ushtarë dhe mijëra automjete të blinduara, si dhe 60 helikopterë e avionë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos