
Rusia nuk ndal bombardimet në Ukrainë, ndërsa luftohet ashpër në çdo front. Kievi njofton se vetëm në 24 orët e fundit ka thyer më shumë se 50 sulme të forcave pushtuese në drejtim të rajoneve lindore.
Por ka pasur edhe nga ato raketa që nuk i ka ndalur dot, të cilat sollën një rezultat të trishtë. Të paktën 5 civilë janë vrarë në orët e fundit në lindje të Ukrainës. Rusia ka kryer sulme edhe në Zaporizhzhia, duke vrarë një vajzë të vogël 12 vjeçare dhe babanë e saj.
Prokuroria e përgjithshme e Ukrainës ka njoftuar se që prej fillimit të luftës, janë vrarë 468 fëmijë dhe plagosur thuajse 1 mijë të tjerë. Pjesa më e madhe e minorenëve të prekur nga lufta, raportohen në Donjeck.
Sakaq, 31 fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre në Ukrainë, pas një operacioni të gjatë për kthimin e tyre nga Rusia dhe Krimea. Kievi vlerëson se 19500 fëmijë janë rrëmbyer nga forcat pushtuese që nga nisja e luftës, në ato që i konsideron deportime të paligjshme.
Megjithatë, Moska i ka mohuar gjithmonë këto akuza. Duke qëndruar tek Rusia, “skifteri” i Putinit kërcënon se Ukraina do të zhduket nga faqja e dheut, pasi askush nuk ka nevojë për të.
“Ai shtet është një keqkuptim që doli nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik”, tha Dmitry Medvedev, ish president dhe aktualisht zëvendëskryetar i këshilli të sigurisë të Rusisë.
“Ne aktualisht kemi nevojë për një Rusi të madhe”, përfundoi zyrtari, ndër miqtë më të mirë të presidentit Vladimir Putin. (A2 Televizion)