
Eduard Selami, me anë të një postimi në Twitter, ka theksuar se mosnjohja e zgjedhjeve nga Partia Demokratike është “një akt jodemokratik dhe antishqiptar”.
Selami ishte sfidanti i Lulzim Bashës për kryetar të PD-së në vitin 2017, kur Basha ngriu funksionet e tij.
Një ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi krerët e degëve të partisë. Burime pranë PD-së i thanë gazetares së A2, Arestina Skënderi, se Basha u ka thënë krerëve që PD nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve. Burimet cituan kryedemokratin Basha të jetë shprehur se rezultati është i deformuar dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve. Përsa kohë nuk e pasqyron këtë vullnet, PD-ja nuk do ta njohë këtë rezultat.
Burimet sqaruan se kjo nuk do të thotë që demokratët nuk do të jenë pjesë e Parlamentit, por këtë rezultat do ta kontestojnë në çdo formë të mundshme. Basha u ka lënë porosi krerëve të degëve që të mbledhin prova për kontestimin e tij. (A2 Televizion)