
Serbia ashpërson kufizimet teksa përballet me një trend në rritje të rasteve me Covid-19. Duke nisur nga kjo e mërkurë, i gjithë vendi hyri në një izolim pesëditor për të ngadalësuar përhapjen e lartë.
Vendimi u bë i ditur nga kryeministrja, Ana Brnabic. Të gjitha dyqanet dhe bizneset u mbyllën, përveç ushqimoreve dhe supermarkeve, furrave të bukës, farmacive dhe pikave të karburantit.
“E vetmja zgjidhje është vaksina dhe vetëm vaksina. Aktualisht fushata në Serbi po ecën me ritme të kënaqshme. Po vaksinojmë deri në 12 mijë qytetarë në ditë”, tha kryeministrja serbe.
Për bizneset, mbijetesa mbetet një synim tepër i vështirë.
“Pandemia ka prekur rëndë sektorin e hotelerisë dhe industrinë e kateringut. Aktualisht, puna në biznesin tonë ka rënë me 20%, ndërsa masat e reja do të ulin dhe më tepër atë. Por, duhet të zbatojmë këto masa dhe të shohim përpara”, shprehen ata.
Izolimi pesëditor në Serbi u vendos pasi vendi me një popullsi prej 7 milionë banorësh regjistroi 4600 raste të reja dhe 28 jetë të humbura në ditën e fundit për shkak të koronavirusit. Të intubuar janë gjithsej 219 pacientë, ndërsa të shtruar në spitale janë mbi 4600 persona.
Nga izolimi përjashtohen edhe kopshtet, ndërsa nxënësit e shkollave fillore do ta zhvillojnë mësimin online për të paktën 1 javë. (A2 Televizion)