
Julian Hodaj, zëvendësministri i Brendshëm, në një lidhje me Skype në A2, foli për masat e marra nga policia në këto ditë të vështira nga epidemia e koronavirusit.
Hodaj theksoi se tashmë ka një ndërgjegjësim te qytetarët, ndërsa tha se të shtunën dhe të dielën, në të gjithë vendin, ka pasur vetëm 350 shkelje.
“Policia ka një detyrë të madhe përpara, pasi në fund të ditës është organi që përgjigjet. Kjo është një situatë jo normale dhe prandaj janë marrë këto masa. Në nivel personal, forcat e policisë kanë masa mbrojtëse bazë, maskat, dorezat dhe mundohen të respektojnë distancat. Deri tani, besoj se po shkon gjithçka mirë.
Të shtunën dhe të dielën, kemi pasur rreth 350 raste ndëshkimesh, në të gjithë vendin. E vlerësojmë mirëkuptimin e publikut, që e ka kuptuar që kjo situatë kërkon pak sakrificë”, tha zëvendësministri.
Hodaj ka dhe një apel për qytetarët: “Të vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, përveçse nevojave primare. Nuk është një situatë normale dhe të gjithë duhet të sakrifikojmë diçka. Të mos ua komplikojmë jetën punonjësve të policisë”. (A2 Televizion)