
Ekonomia shqiptare po përballet me stanjacion në prodhim, çka duhet trajtuar nëpërmjet përmirësimit të klimës së biznesit, eliminimit të burokracive dhe ndihmës për bizneset e vogla dhe të mesme, që përbëjnë edhe 99% të sektorit privat në vend.
Në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, Menaxheri Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naim, shpjegon masat që duhen marrë nga qeveria për të kaluar nga një ekonomi e brendshme drejt një ekonomie eksporti, të bazuar në prodhim.
“Vendi duhet të përmirësojë mjedisin e biznesit, të pakësojë burokracitë gjatë procedurave administrative, të përmirësojë qasjen në financim për këto shoqëri dhe në përgjithësi të përmirësojë infrastrukturën e ndërlidhjes. Dhe kur flasim për ndërlidhje, e kemi fjalën për atë fizike si rrugët, ndërlidhjen digjitale, sepse shoqëritë në Shqipëri duhet të përfaqësojnë revolucionin digjital dhe ndërlidhjen që ka të bëjë me lehtësimin e tregtisë, procedurave të tregtisë, atyre doganore, sepse mënyra më e shpejtë që shoqëritë shqiptare të përmirësojnë prodhimtarinë dhe konkurrueshmërinë e tyre, është të lidhen me botën e jashtme. Pra ideja është të kalohet nga një ekonomi e brendshme me në bazë shërbimet, në ekonomi të bazuar në eksport”.
Zyrtari i lartë i Bankës Botërore rekomandon dhënien e ndihmës për familjet shqiptare për të përballuar rritjen e çmimeve. Sipas tij, qeveria nuk i ka ezauruar të gjitha hapësirat fiskale dhe mundësitë për dhënien e kësaj ndihme ekzistojnë.
“Do të duhet edhe hapësirë fiskale shtesë për të mbështetur shoqërinë me rritjen e çmimit të ushqimeve, energjisë, transportit. Kështu që, në të ardhmen do të ketë nevojë për shumë mbështetje publike, dhe rruga për tërheqjen e investimeve të reja në këtë kontekst lidhet me sektorin privat për zbatimin e këtyre investimeve”.
Në raportin e fundit për Shqipërinë, “Diagnostikimi i sektorit privat për vendin”, Banka Botërore evidentoi tre sektorë që duhen stimuluar për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë: turizmin, bujqësinë dhe industrinë e pjesëve të makinave. (A2 Televizion)