
Pas evidentimit të një klime të vështirë të të bërit biznes në Shqipëri, një ditë më parë në raportin e Dhomës Gjermane të Tregtisë, përfaqësuesit e sipërmarrjes rendisin shqetësimet kryesore që hasin në punën e tyre të përditshme, probleme që po i përballojnë të vetëm, pasi sipas tyre, ndihma nga qeveria ka munguar.
Për industrinë prodhuese dhe atë fason, shqetësimi kryesor mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pavarësisht rritjes së pagave.
"Duke filluar nga problematikat me lëndën e parë, ato të brendshme të strukturave të ekonomisë, si dhe kapitali njerëzor në pakësim”, sqaron Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve.
Për Ervin Prençe, sekretar i shoqatës së Fasonëve, mungesa e fuqisë punëtore është tashmë një emergjencë kombëtare. "Nuk janë problem pagat e ulëta, sepse ka pasur një rritje të detyrueshme që nuk reflektohet tek ekonomia”, shprehet ai.
Sa i përket rishikimit të buxhetit, të cilin qeveria e ka shtyrë për në muajin korrik të këtij viti, ku pritet të ketë edhe një paketë të dytë ndihme, bizneset kërkojnë të përfaqësohet, në mënyrë që të japin rekomandimet e tyre dhe qeveria t’i marrë në konsideratë ato.
Për Arben Shkodrën, qeveria duhet të mendojë për një strategji të re të arsimit profesional, që ka në mendje cilësinë, por edhe sasinë e personelit.
Sipas përfaqësuesve të sipërmarrjes, Shqipëria nuk do të jetë dhe për shumë kohë vendi ku bëhet biznes me paga të ulëta. (A2 Televizion)