Amerikanët u dyndën në plazhe, liqene dhe pishina në këtë fundjavë, që përkoi dhe me festën e Ditës së Kujtesës. Shumë prej tyre sfiduan dhe masat kufizuese të vendosura në shtete të ndryshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri. Në Florida, policia ndërhyri për të shpërndarë qindra persona në plazhin e Dajtonës. Në Mizuri, baret buzë liqenit Ozark u tejmbushën me klientë, të cilët shkelën rregullat e distancimit social. Task forca e Shteteve të Bashkuara kundër pandemisë shprehu shqetësim tepër të madh për shëndetin e mijëra qytetarëve pasi evidentoi skena të tilla. “Ne dëshirojmë të jemi shumë të qartë, respektimi i distancimit social është tepër thelbësor. Nëse nuk mund ta respektoni atë, të paktën vendosni një maskë.” Tha Deborah Bix, anëtarja e Task Force kundër COVID-19. Autoritete të shteteve të ndryshme dënojnë skena të tilla duke i cilësuar shkelësit të papërgjegjshëm, të cilët rrezikojnë jetët e shumë të tjerëve me sjellje të tilla. Gjithashtu nënvizojnë se kjo do të shtojë rastet e reja me Covid-19 dhe për pasojë do të rritet numri i pacientëve të shtruar në spitale si dhe bilanci i vdekjeve. Shumë nga qytetarët nuk ishin të frikësuar, sa i përket rrezikut nga virusi, por kishte dhe të tjerë që respektuan udhëzimet e qeverisë lokale dhe federale duke mbajtur maska mbrojtëse në ambiente publike. “Dita e Kujtesës” është një festë vjetore në Amerikë që mbahet të hënën e fundit të majit në nderim të të rënëve që kanë shërbyer në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)
Sfidojnë koronavirusin, amerikanët “pushtojnë” plazhet në Ditën e Kujtesës
