
Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduart Shalsi njoftoi në A2 Business se qeveria ka përgatitur një paketë mbështetje për turizmin si asnjëherë më parë, por nuk dha detaje, pasi ato do t’i bëjë publike kryeministri Rama në ditët në vijim. Përballë përfaqësuesve të ndryshëm të bizneseve ai deklaroi se kjo paketë unike do të ketë aspiratat e biznesit.
“Lajm i mirë është sot se nuk do jap detaje për atë që kryeministri do zbulojë në ditët në vijim. Them që sektori i turizmit ka një paketë të veçantë me aspiratat e tyre dhe tonat se ku do të jetë turizmi. Do të ketë paketë unike për promovimin e turizmit dhe operatorëve turistikë. Detajet do t’i japë kryeministri. Do të ketë mbështetje si asnjëherë më parë”.
Zv.Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve Klinton Gërxhani e quajti qesharak buxhetin për këtë sektor dhe kërkoi që të rikthejnë punonjësit cilësorë në punë.
“Nuk kemi marrë atë që kemi kërkuar. Ne duam të qëndrojmë në biznes të rikthejmë punonjësit cilësorë që kemi humbur dhe forma grantesh. Buxheti është qesharak për kontributin që japim në ekonomi”.
Duke e konsideruar turizmin si prioritetin kryesor të qeverisë, Shalsi theksoi se po shqyrtohen paketa mbështetjeje për aktorët e tregut dhe operatorët turistikë, pasi është sektori më i prekur nga pandemia.
“Ne jemi duke vijuar analizën kemi marrë vendim të rëndësishëm për turizmin brenda e jashtë Shqipërisë po shqyrtojmë paketa mbështetjeje për aktorët e tregut dhe operatorët turistikë. Është një nga sektorët më të prekur dhe prioriteti kryesor. Ka nevojë e kërkesa për më shumë por duke u nisur nga ku ishim dhe ku jemi, kemi konsoliduar bilancin e shtetit, kemi vënë në vijë shumë sektorë që ishin në prag të falimentimit”.
Teksa Gërxhani solli në vëmendje vendin fqinj, Greqinë, i cili do të vaksinojë brenda majit të gjithë punonjësit e turizmit në mënyrë që të tërheqë tregun europian, Shalsi iu përgjigj se qeveria po lufton fort që të sigurojë një vaksinë sipas prioritetit të nevojave.
(A2 Televizion)