
Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, deklaroi në studion e “Absolut 4” se pengesat që pretendon të zgjidhë “Open Balkan”, janë të tejkaluara tashmë nga biznesi dhe qytetarët.
“Nuk mendoj që biznesmenët shqiptarë, të cilët kanë dashur të bëjnë biznes me Serbinë, nuk kanë bërë. Pra, pengesat që do të na i zgjidhë “Open Balkan”, janë të tejkaluara tashmë. Sot ke mallra serbe që hyjnë në vendin tonë. Ke tregti mes dy vendeve dhe nuk po pritet “Ballkani i hapur” për të nisur tregtinë. Edhe qytetarët që kanë dashur të udhëtojnë në Serbi kanë lëvizur krejtësisht lirshëm. I gjithë diskutimi që rrëshket në teknikalitete dhe na largon nga vendosmëria me të cilën duhet të trajtojmë çështjen tonë kombëtare, nuk shkon”, deklaroi Shano.
Sipas tij, “integrimi evropian i Shqipërisë nuk lidhet me faktin nëse dialogon me vendet e tjera të rajonit”, por lidhet “direkt me cilësinë e institucioneve që ne kemi, me të drejtën e pronës, me klimën e biznesit e me radhë”.
“Nuk mendoj që Brukseli ka ndërruar qasje në raport me integrimin evropian. Ata kanë frenuar pas zgjerimit të fundit të madh, por nuk kanë ndërruar qasje me çdo vend individualisht. Fakti që ne nuk ishim të zot që të ruanim dhuratën e madhe që na dhanë SHBA-të, duke u ulur me ushtarë në territorin e kombit, nuk duhet të na presë gjunjët dhe të quajmë shpëtim çdo propozim që vjen nga Serbia. Ky vend, sot që flasim, ka dyfishuar shpenzimet ushtarake”, theksoi Shano. (A2 Televizion)