
Kishin marrëdhënie të këqija dhe tani i ndërprenë plotësisht. Nicolas Maduro reagoi ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara, pas mbështetjes që i ofruan kreu të opozitës, Juan Guaidosi, lider i ri i përkohshëm i Venezuelës. Maduro u dha 72 orë afat diplomatëve amerikanë që të largohen nga vendi, por Uashingtoni thotë se “ish-presidenti” nuk ka autoritetin për t’i dëbuar ata.
“Kam vendosur që të ndërpres marrëdhëniet diplomatike dhe politike me qeverinë imperialiste të Shteteve të Bashkuara. Jashtë Venezuelës, mjaft me ndërhyrje, ka dinjitet këtu. Kemi njerëz për të mbrojtur këtë tokë”, tha Nicolas Maduro, President i Venezuelës.
Të mërkurën, Guaido u vetëshpall president i Venezuelës gjatë një proteste masive në Karakas. SHBA i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesin liderin e opozitës, por ata i qëndruan besnikë Maduros.
Që nga nisja e protestave masive kundër qeverisë, 5 persona kanë humbur jetën në përleshjet me forcat e rendit. Maduro erdhi në pushtet në vitin 2013 pas vdekjes së Hugo Çavez.
Ai fitoi një mandat të dytë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga opozita. Nën drejtimin e tij, Venezuela ka pësuar një rënie të lirë në ekonomi, me hiperflacion dhe mungesë ushqimesh. (A2 Televizion)