Shehaj: Nëse del lista e bashkëpunëtorëve padeklaruar të SHISH do të ishte një tmerr

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2022, 09:36 | Aktualitet

Hakerat iranianë publikuan një ditë më parë një listë ku pretendohet se janë përfshirë të gjithë punonjësit e Shërbimit Informativ Shqiptar. Të dhënat për ta, të marra nga sistemet kompjuterike të institucioneve, janë publikuar nga faqja “Homeland Justice” në Telegram, sikurse edhe shumë dokumente të tjera më parë, të përftuara, sipas hakerave, përmes ndërhyrjes në sistemet online të vendit tonë. Ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, tha se kjo thyerje e sigurisë mund të jetë shumë më e dëmshme nëse hakerat kanë në dorë edhe listën e bashkëpunëtorëve të padeklaruar të SHISH. “Çka është më e rëndë për mua është ajo lista e 600 punonjësve të SHISH e publikuar dje. Shpresoj shumë që të jetë lista e punonjësve të deklaruar në tatime, shpresoj të mos jetë lista e bashkëpunëtorëve të SHISH, tek e cila as ne tek Tatimet nuk kishim akses”, tha Shehaj në “Dita jonë”. “Do të ishte e mira që këto të mos dilnin sepse do të ishte një tmerr shumë i madh nëse këto publikohen. Unë nuk e njoh strukturën e SHISH, shpresoj që ata 600 emra të jenë punonjësit e deklaruar zyrtarë dhe shpresoj që hakerat të mos e publikojnë kurrë këtë listë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos