
Bujar Sheshi, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i akuzuar gjatë ditëve të fundit si ish-pjesëtar i Sigurimit të Shtetit, ka kërkuar gjatë mbledhjes së sotme të KLP që të zbardhet sa më shpejt çështja, pasi sipas tij, akuzat e ngritura nuk godasin vetëm atë si person, por gjithë institucionin më të ri të drejtësisë.
“Kjo akuzë është një sajesë e ulët, synimi është goditja e reformës në drejtësi. Një goditje në prag të ngritjes së SPAK”, tha Sheshi. “Pas këtij veprimi fshihen njerëz të politikës të cilët nuk duan drejtësi”.
Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, tha se çështja do të shqyrtohet sa më shpejt, ndërkohë që pranoi të administrojë shkresën e mbërritur pranë KLP nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve.
Të shtunën Partia Demokratike publikoi dokumente qe e implikonin Bujar Sheshin si ish-punonjës të sigurimit. Deputeti Gent Strazimiri akuzoi Kryeporkuroren Arta Marku për shkelje të ligjit. (A2 Televizion)