
Shtetet e Bashkuara kaluan pragun e trishtë të 250 mijë vdekjeve nga Covid-19, ndërsa infektimet vazhdojnë të rriten përreth vendit.
Sipas universitetit Johns Hopkins, numri i të prekurve është rreth 11.5 milionë, më shumë se kudo tjetër në botë. Mbi 1700 persona humbën jetën të martën, dita me bilancin më të hidhur në 6 muaj. Mesatarja e vdekjeve ditore po rritet në 33 shtete.
Duke folur për BBC, mjeku Anthony Fauci tha se Shtetet e Bashkuara po shkonin në drejtimin e gabuar.
“Është situatë shumë serioze. Kur sheh një rritja të tillë masive të shifrave, siç po ndodh tani do të thotë se jemi në një situtatë shumë të vështirë.”
Fauci përsëriti thirrjen e tij për respektim të masave anti-covid, si mbajtja e maskës, distancimi social dhe shmangia e grumbullimeve.
Eskperti i lartë i sëmundjeve infektive u kërkoi qytetarëvë të durojnë edhe pak, pasi ndihma po vinte në formën e vaksinave. Nju-Jorku, epiqendër e pandemisë gjatë pranverës, urdhëroi mbyllje të shkollave nga e enjtja mes hovit të infektimeve të reja.
Vendimi për të mbyllur sistemin më të madh arsimor në SHBA, u mor pasi niveli i pozitivitetit të testimeve arriti në 3 për qind.
“Fatkeqësisht sot, pozitiviteti arriti në 3 për qind. Si rezultat duhet të mbyllim shkollat gjatë ditëve në vazhdim. Askush nuk është i lumtur për një vendim të tillë”, u shpreh Bill De Blasio, kryebashkiak i Nju-Jorkut.
Më herët edhe Boston dhe Detroit morën vendimin të kalonin mësimin online, ndërkaq Minesota dhe Kentaki urdhëruan mbylljen e përkohëshme të të gjitha bareve dhe restoranteve.
Edhe në Miçigan nisi një pauzë 3-javore, gjatë së cilës nuk do të mund të vizitohen lokalet, kinematë apo teatrot. Në Oregon, nuk do të lejohen më shumë se 6 persona në tryezën e ditës së falënderimeve.
76 mijë amerikanë janë të shtruar nëpër spitalet e vendit me Covid-19, dhe sistemi shëndetësor po përballet më vështirësi të mëdha. Në qytetin e El Pasos, një qendër konventash u kthye në spital, e disa pacientë po tranportohen me avionë diku tjetër për shkak të tejmbushjes së qendrave mjekësore. (A2 Televizion)