
Janë mbi 4.8 milionë rastet e konfirmuara me Covid-19 në të gjithë botën, ndërsa viktimat i tejkalojnë 320 mijë.
Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën e vendeve të prekura me mbi 90 mijë vdekje e 1,5 milionë të infektuar. Brazili është bërë vendi i tretë, për nga numri i rasteve, pasi regjistroi një total prej 250 mijë personash të prekur.
Vetëm SHBA dhe Rusia numërojnë më shumë të infektuar. Sipas ekspertëve, mungesa e testimeve nënkupton se shifra reale në Brazil mund të jetë 15 herë më e lartë. Koreja e Jugut, ku u rikthye alarmi pas krijimit të një vatre të re në një zonë me klube nate në Seul, raporton rënie të rasteve të reja dhe konfirmon rihapjen e shkollave ditën e mërkurë.
Sa i përket Evropës, situata paraqitet gjithmonë e më pozitive me Italinë dhe Spanjën që raportuan numrin më të ulët të jetëve të humbura në 24 orë, që për herë të parë kanë zbritur nën 100.
Qeveria e Madridit shfuqizoi urdhrin që ndalonte fluturimet, apo anijet me pasagjerë nga Italia. Megjithatë, të gjithë italianët e shtetasit e tjerë të huaj që do të mbërrijnë në vend, do t’i nënshtrohen karantinimit 14-ditor.
Trendi pozitiv vijon edhe në Belgjikë, me numrin e vdekjeve të reja që zbriti në 29 ditën e martë. Gjithashtu, Britania e Madhe shënoi shifrën më të ulët të vdekjeve që prej shpërthimit të pandemisë, me 160 jetë të humbura. Problem i rëndë mbetet ekonomia, me numrin e të papunëve që është rritur me 69%, sipas të dhënave zyrtare. (A2 Televizion)