Ambasada e SHBA ka konfirmuar një telefonatë midis të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe Presidentit Meta. Ende nuk është e qartë çfarë është diskutuar në këtë telefonatë, por mëngjesin e sotëm, Ambasada e SHBA në Tiranë doli me një reagim në lidhje me situatën e krijua për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, ku fton palët ta çojnë çështjen në Komisionin e Venecias. “Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”, shton ambasada. Pasi ambasada amerikane konfirmoi bisedën telefonike Meta-Palmer, edhe Presidenca e zyrtarizoi atë, duke shtuar se ishte kërkuar nga diplomati amerikan dhe kishte zgjatur 30 minuta. Presidenca u shpreh gjithashtu e gatshme të publikonte transkriptin e bisedës, nëse amerikanët do ta autorizonin. Komunikimi mes Metës dhe Palmer u konfirmua për A2CNN edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Nga ana tjetër, Presidenca bëri të qartë se nuk e pëlqen idenë për t’i kërkuar interpretim Komisionit të Venecias, që përveç amerikanëve dhe Brukselit është hedhur edhe nga ambasadori Italian Cutillo. (A2 Televizion)
"Shkoni në Venecia", Palmer telefonon Metën, Presidenca sulmon ndërkombëtarët
