Debate në komision për dhunën në protestë, Xhafaj kujton 21 Janarin

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 16:46 | Politikë

Debate në komision për dhunën në protestë, Xhafaj

Ngjarjet e dhunshme gjatë protestës të së martës kanë shkaktuar debate në Komisionin për Nismat Qytetare. Opozita akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj qytetarëve dhe studentëve, ndërsa mazhoranca socialiste riktheu në vëmendje ngjarjet e 21 Janarit 2011.

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj dënoi dhunën gjatë protestave, por theksoi se nuk duhet të ketë as tejkalim të kompetencave nga ana e policisë dhe as sulme ndaj institucioneve.

"Protesta e dhunshme është e dënueshme dhe dhuna e çdo lloji nuk mund të tolerohe. Nuk pajtohem kurrë me tejkalimin e kompetencave të policisë. Unë kam qenë vetë protestues siç tentuat ju të ishit dje dhe e kam pranuar edhe kundërshtimin dhe forcën e policisë. E kam provuar dhe mbi kurriz. Nuk kam pranuar një gjë, që janë vrarë katër njerëz në një protestë të lirë qytetare. Ke të drejtë të protestosh, por, po e tejkalove, do të përgjigjet policia," u shpreh Fatmir Xhafaj, duke iu referuar vrasjes së Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt gjatë protestës së 21 Janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas tij sjellja e shtetit dhe e policisë gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në mbi 100 ditët e fundit ka qenë korrekte dhe i bëri thirrje opozitës të mos nxisë sulme ndaj institucioneve.

"Ka mbi 100 ditë që protestohet në Tiranë dhe sjellja e shtetit dhe policisë ka qenë korrekte... Natyrisht, unë besoj se, sikurse duhet të mbrojmë fort të drejtën dhe lirinë e protestës, të drejtën kushtetuese të qytetarëve, nga ana tjetër nuk duhet të mbrojmë dhe të përkrahim dhunën ndaj institucioneve, ndaj policisë", theksoi ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos