Shpërthim në një fabrikë kimike në Spanjë, viktima dhe të humbur

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 09:25 | Bota

Një person humbi jetën, një tjetër është shpallur i humbur dhe 8 u plagosën si pasojë e një shpërthimi që u pasua nga një zjarr në një fabrikë kimike në provincën e Tarragonës, në verilindje të vendit.

Shkaqet e shpërthimit në fabrikën kimike janë ende të paqarta, por autoritetet sigurojnë banorët e zonës se nuk rezultojnë elementë të rrezikshëm në ajër.

30 skuadra zjarrfikëse kanë shkuar në stabilimentin e fabrikës dhe kanë punuar për fikjen e flakëve të cilat u shpërndanë me shpejtësi dhe për shkak të depozitave me oksid etileni që ndodheshin brenda.

Sipas autoriteteve, personi që humbi jetën ndodhej në banesën e tij kur ndodhi shpërthimi, e cila u shkatërrua si pasojë e presionit, ndërsa personi që është shpallur i humbur punonte në fabrikë. Mes të lënduarve janë dhe dy persona të intoksikuar dhe ndodhen në gjendje të rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos