Shqipëria përballet me rritje të infertilitetit, mjekët: 20% e çifteve të reja kanë shfaqur probleme

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2021, 12:46 | Aktualitet
Shqipëria përballet me rritje të infertilitetit, mjekët: 20%

Një diagnozë infertiliteti mund të vendoset nga mjekët vetëm pas një viti kur një çift ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të sjellë në jetë një fëmijë. Gratë që janë në gjendje të krijojnë shtatzëni, por nuk mbajnë atë mund të diagnostikohen gjithashtu me infertilitet.

Mjekët në Shqipëri thonë se 20 % e çifteve të reja kanë shfaqur probleme të infertilitetit te femra ose te mashkulli. Mesatarisht, 500 gra në vit zgjedhin teknikën In-Vitro pasi nuk mund të kenë një shtatzëni natyrale.

Studimet në botë tregojnë se 1/3 e rasteve të infertilitetit mund t'i atribohet femrave.

Në lidhje me shkaqet që çojnë drejt infertilitetit mjekët mendojnë se ka disa faktorë rreziku si:

Gjendja shëndetësore në të cilën ndodhen partnerët;

Sëmundjet tumorale kryesisht ato në qafën e mitrës;

Mosha;

Duhanpirja;

Alkooli;

Mbipesha;

Konsumimi i substancave të ndaluara, drogë;

Ç'ekuilibër hormonal etj.

Si në të gjitha vendet edhe në Shqipëri për shkak të prioritetit që i jepet karrierës dhe dedikimit në fushën profesionale, gratë janë më të prirura të mendojnë për lindjet në një moshë më të vonë. Por, kjo në vetvete, sipas mjekëve krijon edhe problematika, si vështirësi për të mbetur shtazënë deri në infertilitet të plotë.

Trajtimi i infertilitetit është i gjatë, i kushtueshëm dhe arritja e rezultateve kërkon kohë dhe aftësi profesionale. Kërkesa për shërbime që trajtojnë infertilitetin është në rritje për shkak të rritjes së incidencës së infertilitetit primar dhe sekondar në popullatë. Në Shqipëri, ekzistojnë disa qendra dhe spitale që përdorin teknologjinë dhe teknikat më të reja të fekondimit In-Vitro. Madje, sipas raportimeve të tyre, në një nga këto spitale jopublike, në total kanë ardhur në jetë 600 bebe përmes teknikave In-Vitro.

Infertiliteti bashkëshortor shkakton shumë pasoja psikologjike dhe sociale, dhe megjithëse nuk ndikon drejtpërdrejt në shëndetin fizik të individit, impakti në shoqëri është i gjerë.

UNPA Albania ka në fokus mbrojtjen e shëndetit riprodhues dhe garantimin e shërbimeve shëndetësore. Duke promovuar mënyrat mbrojtëse për të shmangur shtatzanitë e padëshiruara, UNFPA është dhe “avokate” e jetës dhe të drejtave të njeriut.

UNFPA në Shqipëri ka implementuar programe trajnimi dhe mbështetëse për stafin shëndetësor në mënyrë që gratë dhe vajzat të marrin shërbime shëndetësore cilësore. Terapia konservative e trajtimit të infertilitetit bashkëshortor është një terapi e zgjatur dhe e kushtueshme. Njohja e protokolleve të përdorimit të medikamenteve, llojet e medikamenteve dhe doza e tyre nga personeli mjekësor është domosdoshmëri dhe nevojë urgjente, por shpeshherë kostoja është e papërballueshme nga të gjitha çiftet.

Rekomandimet e OBSH-së theksojnë identifikimin e veçantë të nevojës për akses universal të trajtimeve që mjekojnë infertilitetin në vendet në zhvillim, si dhe rëndësinë e një baze të dhënash të rasteve mjekësore të çifteve të trajtuara në mënyrë konservative, apo me anë të teknikave të riprodhimit të asistuar për mjekimin e infertilitetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos