Bashkëshortja e Charlie Kirk u drejtohet “përgjegjësve” për atentatin: Nuk e keni idenë çfarë force të papërmbajtshme keni lëshuar në mbarë botën

Nga A2 CNN
13 Shtator 2025, 10:34 | Bota

Bashkëshortja e Charlie Kirk u drejtohet

Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit të vrarë Charlie Kirk, u zotua se do të çojë përpara misionin e tij dhe bëri thirrje që të rinjtë t’i bashkohen lëvizjes që ai themeloi, shkruan A2 CNN. Duke iu drejtuar në shumës “keqbërësve përgjegjës për atentatin ndaj burrit tim”, ajo paralajmëroi: “Nëse menduat se misioni i tij ishte i fuqishëm më parë, nuk keni asnjë ide çfarë force të papërmbajtshme keni lëshuar në këtë vend dhe në mbarë botën. Nuk e dini zjarrin që keni ndezur brenda kësaj bashkëshorteje. Klithmat e kësaj të veje do të jehojnë në mbarë botën si një thirrje beteje”, tha ajo, përcjell A2 CNN.

Ajo theksoi se lëvizja e themeluar nga bashkëshorti i saj nuk do të shuhet dhe se aktivitetet e planifikuara nga Turning Point USA do të vazhdojnë. Turneu në kampuse dhe konferenca e dhjetorit, AmericaFest, do të mbahet sipas parashikimeve, po ashtu edhe programet radiofonike dhe podcast-i i tij. “Urtësia e tij do të mbetet”, shtoi ajo.

Në fjalën e saj, Erika u bëri thirrje të rinjve amerikanë që të angazhohen në degët e Turning Point USA në mbarë vendin. “Nëse nuk ka një degë pranë jush, krijojeni”, u shpreh ajo, duke rikujtuar mesazhin e vazhdueshëm të Charlie Kirk: “Nëse doni të përfshiheni, vizitoni TPUSA.com”.

Ajo i kërkoi gjithashtu të rinjve të përqafojnë besimin e krishterë dhe të bashkohen me “një kishë që i përmbahet Biblës”. Për burrin e saj, Erika tha: “Tani dhe përjetësisht ai do të qëndrojë pranë Shpëtimtarit të tij, duke mbajtur kurorën madhështore të një martiri”.

Në fjalën e saj, ajo citoi një nga vargjet e preferuara të tij nga Bibla: “Burra, dojini gratë tuaja ashtu si Krishti e deshi kishën dhe dha veten për të”.

Sipas saj, përpjekja e Charlie Kirk nuk ishte vetëm politike, por mbi të gjitha shpirtërore. “Lufta shpirtërore është e prekshme”, tha ajo, duke theksuar se e ndien praninë e bashkëshortit edhe pas vdekjes së tij: “E di që burri im është ende këtu, po na vështron”.

Charlie Kirk u vra në moshën 31-vjeçare më 10 shtator, teksa po zhvillonte një tubim me studentë nw kampusin e një universiteti në Utah. Autori i dyshuar u arrestua dy ditë më pas nga autoritetet, pasi ia kishte rrëfyer krimin të atit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos