Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vijon edhe sot aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Luginën e Valbonës. Në total janë planifikuar 22 objekte për shembje. Deri tani, 3 objekte janë shembur nga IKMT, 16 struktura druri po çmontohen nga vetë banorët, 3 të tjera mbeten ende në listë, shkruan A2 CNN.
Ndryshe nga Thethi, ku pati përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit, në Valbonë një pjesë e pronarëve të bujtinave kanë zgjedhur të bashkëpunojnë. Ata kanë nisur vetë çmontimin e ndërtimeve, duke shmangur konfliktin me autoritetet.
Por reagimet e banorëve janë të ndara. Një pjesë shprehen të pakënaqur, duke thënë se këto ndërtime janë investime të tyre dhe burimi kryesor i të ardhurave nga turizmi. Sipas IKMT, aksioni do të vijojë deri ne çlirimin e zonës së mbrojtur nga ndërtimet pa leje. (A2 Televizion)