
Performanca e sotme e peshëngritësit Briken Calja, që humbi për një kilogram mundësinë historike të medaljes së parë olimpike për Shqipërinë, ishte maja e delegacionit tonë në Tokio.
Sipas kreut të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, “të vjen keq për mënyrën si erdhi gara, por të arrish i katërti në Olimpiadë nuk është pak. Brikeni kishte një përgjegjësi të madhe, ne prisnim medalje jo vetëm se Shqipëria nuk ka marrë asnjë të tillë, por në bazë të rezultateve që ai kishte, dhe forma që ishte shumë e mirë. Ai pati një kontraktim të muskujve”.
Brikeni gaboi në stilin e shkëputjes, në provën e parë ë është e sigurt, ku atleti futet në garë. Po ta kishte marrë atë, do të ishte shume më e lehtë për provat e tjera, sepse të djegësh provën e parë të vjen një përgjegjësi shumë e madhe. Por sportist si Briken Calja është një sportist i madh, që Shqipëria i ka të rrallë, dhe është përballë me më të mirët e rruzullit.
Cilat janë leksionet që po mëson Komiteti nga këto Lojëra? “Unë kam tre muaj si president, por mund të them kemi nevojë për të riparuar shumë gjëra. Sportistët e gjithë botës përgatiten nga Olimpiada në Olimpiadë, nuk mund të bëhet në tre muajt e fundit. Nuk mund të kërkojmë vetëm nga sportistet, duhet të kemi një bashkëpunim institucional ku të lëvizë qeveria, klubet, bashkitë, sepse Komiteti Olimpik nuk përgatit sportistët”, tha Ylli për A2.
“Sporti nuk është vetëm një garë, është imazhi i vendit. Kemi Olimpiadën e radhës në Paris dhe duhet të fillojmë grupet e punës, të kemi mundësisht trajnerë të huaj, sepse kemi mangësi të madhe, sporti ka evoluar në metodikat, në mënyrën e ushqimit, sepse medalja ndahet edhe për një kile, siç e pamë”, shtoi ai.
Po e duam në sportin, ekziston një frymë në këtë sens, nga momenti që problemet përsëriten? “Po ta donim ne sportin, këta sportistë do t’i mbanim si uji i pakët. Nuk do të kishte nevojë që Luiza Gega të stërvitej në Kenia me shpenzimet e Komitetit dhe të saj sepse ne nuk kemi pistë tartani, as Kledi Kadiu të stërvitej në SHBA se nuk kemi pishinë olimpike. Këtë infrastrukturë duhet ta bëj shteti, dhe sporti të futet në sistem, ajo lind nga shkollat, dhe nuk mund të bazohemi thjesht tek federatat”, theksoi kreu i KOKSH. (A2 Televizion)