
AC Milan shpërdoroi një mundësi të artë për të thelluar diferencën në krye të Serie A, pasi u ndal në një barazim surprizë 2-2 ndaj Pisas në “San Siro”, në një ndeshje që mund t’u kishte dhënë miqve fitoren e parë historike në transfertë kundër kuqezinjve.
Sfida nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, që kaluan në avantazh në minutën e 7-të me një gol të mrekullueshëm të Rafael Leão, i cili pas një depërtimi nga e majta shënoi nga 20 metra distancë. Pjesa e parë u mbyll pa rrezik real për portën e Milanit, por gjithçka ndryshoi në minutën e 59-të, kur pas një verifikimi me VAR, Pisa fitoi penallti për prekje me dorë të De Winter. Juan Cuadrado e ekzekutoi me qetësi dhe barazoi shifrat, shkruan A2 CNN.
Milan reagoi me forcë, por gjuajtja e dytë e Leão u ndal nga traversa, ndërsa portieri Šemper bëri mrekulli ndaj një bombe të Saelemaekers. Në minutën e 86-të, Pisa befasoi sërish kur Nzola shënoi për 1-2, por në shtesë Zachary Athekame shpëtoi kuqezinjtë nga turpi.
Me këtë barazim, Milan mbetet vetëm dy pikë para Interit, ndërsa Pisa ngjitet nga vendi i fundit në të 18-in, duke marrë një pikë historike në “San Siro”. (A2 Televizion)
