Në këtë qytet të vogël bregdetar të Ekuadorit pothuajse të gjithë njohin dikë që është larguar për të punuar dhe nuk është kthyer më.
David Culver, CNN: “Këto janë të gjitha rrobat e vëllait të saj Andrés, dysheku ku ai flinte deri gati një vit më parë. Ajo thotë se ai ishte i dëshpëruar për punë, se ishte shqetësuar për të siguruar jetesën për gjashtë fëmijët e tij, dhe se duhej të shkonte të punonte. Dhe si shumë njerëz në këtë qytet të vogël bregdetar, ai është peshkatar. Por çudia – thotë ajo – është se ai la pas të gjitha pajisjet e peshkimit.”
Ajo thotë se ai është një njeri i mirë që përpiqet të sigurojë të ardhura të ndershme.
David Culver: Presidenti Trump thotë se vëllai juaj është një terrorist… e afërmja e tij përgjigjet: “Jo… jo… ai s’është. Ai nuk është kriminel.”
Vëllai i saj, Andrés Fernando Tufiño Chila, nuk është i panjohur për autoritetet amerikane. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ai u arrestua, u dënua dhe u burgos në vitin 2020 për trafik droge pranë brigjeve të Meksikës, para se të deportohej.
Tani, pasi i ka mbijetuar sulmit më të fundit amerikan ndaj një mjeti të dyshuar të trafikut të drogës në Karaibe, besohet se është kthyer në Ekuador… dhe është i lirë.
Zyrtarët këtu thonë se nuk kanë prova që ai ka thyer ligjet vendase, ndaj e kanë liruar. Megjithatë, rasti i tij ka vënë në qendër të vëmendjes një pyetje më të madhe: kush dhe çfarë saktësisht po synojnë këto sulme të SHBA-së?
Që nga fillimi i shtatorit SHBA ka kryer të paktën shtatë sulme pranë brigjeve të Venezuelës. Administrata Trump thotë se ato ndërmerren për të shpëtuar jetë amerikane nga mbidozat e drogës, por shumica e vdekjeve nga mbidozat në SHBA nuk shkaktohen nga kokaina… por nga fentanili – i prodhuar kryesisht në Meksikë dhe i trafikuar përtej kufirit, shpesh nga vetë qytetarë amerikanë.
Nuk është e qartë saktësisht se ku SHBA ka goditur anijet e dyshuara të trafikut të drogës. Por analiza jonë e të dhënave të fluturimeve ushtarake amerikane tregon dhjetëra fluturime survejimi pikërisht në veri të Venezuelës në Karaibe.
Shumë larg brigjeve të Ekuadorit… ku kokaina nga Kolumbia në veri dhe Peruja në jug derdhet përpara se të dalë në det duke përdorur Ekuadorin kryesisht si nyje tranziti drejt Paqësorit.
Kjo është mënyra se si rreth 70% e furnizimit botëror me kokainë mbërrin në SHBA, Europë dhe më tej. Dhe trafikantët ata që rrezikojnë gjithçka në det zakonisht nuk janë anëtarë bandash. Ata janë peshkatarë të cilët bandat që i kontrollojnë shpesh i shohin si të përdorshëm e të sakrifikueshëm.
Zyrtarët ekuadorianë thonë se edhe ata po godasin trafikun edhe pse me burime të kufizuara. Megjithatë – shumë këtu thonë se nga ky biznes është pothuaj e pamundur të shpëtosh.
David Culver: “Kur i pyet për nivelin e përfshirjes në narkotrafik, disa hezitojnë ta pranojnë. Ai thotë se, sipas vlerësimit të tij, rreth 25 deri në 30% punojnë në aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës.” Disa thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër. Në vitin 2023, bandat kryen një pritë në një fshat peshkatarësh në veri duke shënjestruar ata që refuzuan të paguanin gjobat e zhvatjes.
Nëntë persona u vranë, dhjetëra u plagosën. Të tjerë thonë se paratë ia vlejnë rrezikun. Një trafikant: “Vendosim një kuti në trupin (barkën) e anijes për të fshehur drogën. Si peshkatar fitoja 300 dollarë në muaj, por duke bërë një udhëtim të paligjshëm deri pranë brigjeve të Meksikës, mund të fitoj 30,000 deri në 60,000 dollarë në muaj. Janë para të mira.”
Nëse i mbijeton udhëtimit. Që nga viti 2024, grupi i Solanda Bermello-s ka dokumentuar më shumë se 2,800 peshkatarë ekuadorianë të zhdukur, të vdekur ose të ndaluar jashtë vendit, shkruan A2 CNN.
Këto gra e dinë që të afërmit e tyre kanë thyer ligjin… por dinë edhe pse. Dëshmia: “Nuk kemi punë… nuk kemi mënyra për të mbajtur veten” – thotë ajo.
Ndërsa sulmet amerikane vazhdojnë larg këtyre brigjeve, ata që kapen në mes të përplasjes rrallë janë drejtues kartelesh… por burrat që marrin rrezikun për ta.
David Culver: “Ajo thotë se dëshiron me gjithë zemër të flasë me vëllanë e saj, Andrés… është mirënjohëse që të paktën është gjallë, veçanërisht duke pasur parasysh se dy vëllezërit e tjerë janë në burg – një këtu në Ekuador, tjetri në SHBA… të dy të akuzuar gjithashtu se nga peshkatarë janë kthyer në trafikantë droge.” (A2 Televizion)
