15 serbë shanë Shqipërinë, sipërmarrësi nga Lepusha: Janë paguar për trazira në Ballkan

Nga A2 CNN
3 Qershor 2026, 08:55 | Aktualitet

“Ata ishin mercenarë që ishin të paguar për të shkaktuar trazira në Ballkan, nuk ishin turistë. Turistët nuk e bëjnë atë punë”. Këtë shpjegim dha në Dita Jonë në A2 CNN sipërmarrësi Irdian Pëllumbaj, pas përballjes me 15 motoristë serbë të cilët ofenduan flamurin dhe simbolet kombëtare shqiptare në restorantin e tij.

Sipas tij këtë arsyetim ia konfirmuar dy turistë të tjerë serbë që mbërritën në lokalin e tij një ditë më vonë, të cilët i thanë se grupi i mëparshëm nuk përfaqësonte turistë të zakonshëm.

“Më 29 maj, ditën tjetër po në të njëjtin vend erdhën nga Serbia dy motoristë edhe kishin targat e Beogradit. Ne kemi një biznes familjar. Punojmë vetëm unë, nusja dhe djali. Edhe unë i thashë për mos me i shërbyer edhe i thotë nusja anglisht se kështu na ka ndodhur dhe i tregon videon. Ata i thanë se ishin mercenarë, ishin paguar për trazira në Ballkan nuk ishin turistë. Turistët nuk e bëjnë atë punë. Ishin të paguar”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Pëllumbaj shtoi se pas publikimit të videos në rrjetet sociale ka marrë edhe komente kërcënuese, ndërsa theksoi se reagimi i tij ishte një qëndrim kundër ofendimit të simboleve kombëtare shqiptare.

“Kur të shajnë flamurin dhe shqiponjën në shtëpinë tënde, të zien gjaku. Megjithatë u përmbajta, edhe sepse pranë meje ishte vajza ime 8-vjeçare”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos