Rasti i 25-vjeçares Xhuana Nikolli, e cila i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pas dhunës nga ish-bashkëshorti, për psikologen rudina Koromani, kjo vendimmarrje tregon se mbrapa qëndrojnë problematika të shëndetit mendor. Në një intervistë për Dita Jonë në A2 CNN ajo tha se individët në gjendje të rënduar psikologjike ndihen të pashpresë dhe mbyllja e jetës mund të duket si zgjidhja e vuajtjeve të tyre.
“Kur kemi të bëjmë me raste të vetëvrasjes, ku bëhet fjalë për vendimmarrje për të mbyllur jetën, qëndrojnë mbrapa problematika të shëndetit mendor, gjendje të rënduara psikologjike ku individi nuk sheh zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet. Është i pashpresë dhe mbyllja e jetës duket sikur është zgjidhja e vuajtjeve të veta. Në rastin e Xhuanas, duket se rasti është kompleks. Dyshohet që kemi dhe dhunë të ushtruar. Megjithatë ende panorama mbetet e paqartë se si është mbetet organeve hetimore që të zbulojnë se si dhe pse a është e vërtetë apo jo”, tha ajo në Dita Jonë ën A2 CNN.
Sipas psikologes kjo nuk ndodh brenda 24 orëve, pasi duhen 3-6 muaj që të krijohet çrregullimi i depresionit, duke sjellë humbje shprese dhe mungesë dëshire për të jetuar.
"Kur kemi të bëjmë me raste të tilla, të cilat vuajnë edhe kryejnë një vepër të tillë, i japin sinjalet shumë kohë më përpara. Nuk është se ndodh brenda 24 orëve. Miqtë, familjarët shikojnë sjellje të cilat ndryshojnë nga sjellja e mëparshme e familjarit të tyre apo mikeshës së tyre. Minimalisht tre deri në gjashtë muaj mjafton për të krijuar çrregullimi i depresionit, çrregullimi i plotë klinik i depresionit. Fillojnë izolimet graduale, një humor i rënë, individ i pashpresë, mund të jetë ndjerë fajtore për vendimin që ka marrë të martesës, mund të jetë ndjerë e kërcënuar dhe është ndodhur brenda një situate të pashpresë. Këto janë të gjitha hipotezat që unë hedh, por pjesa e simptomave të depresionit është nga mungesa e shpresës dhe e dëshirës për të jetuar. Duket sikur çdo gjë ka përfunduar në atë problematikë që është duke përjetuar ë percepton që si fundi i botës dhe çdo gjë ka përfunduar. Nuk ka më qëllim për të vijuar jetën e saj”, tha ajo në A2 CNN.
Psikologia thekson se izolimi, ndryshimet në humor dhe mungesa e hapjes ndaj të tjerëve janë sinjale që miqtë dhe familjarët mund të dallojnë. Ndërhyrja e tyre mund të shpëtojë jetë, duke nxitur individin të kërkojë ndihmën e një specialisti të shëndetit mendor.
“Kemi izolimin, kemi një gjendje emocionale shumë të trishtuar. Personi nuk dëshiron që të flasë nuk hapet. Shkon gjithmonë drejt një izolimi të vazhdueshëm. Nuk hapet më. Sepse në momentin që neve flasim problemin, kemi gjithmonë shpresën për të gjetur një zgjidhje. Sinjalet që janë parë te Xhuana, e para ndryshon sjellja, ndryshon humori, ndryshojnë shumë gjëra. Pjesa e empatisë sociale dhe e familjarëve në raste të tilla gjithmonë të jemi vigjilentë, mund të shpëtojnë raste të tilla. Të qëndrojnë pranë dhe ta shtyjnë individin që të kërkojë ndihmën e një specialisti, sepse nuk është duke përjetuar situata të forta emocionale të një ndarje, individi ka nevojë për asistimin e një specialisti. ka nevojë për ndihmën e një specialisti për të tejkaluar atë ndarje dhe për të përgatitur veten, për të shëruar plagët e kësaj ndarje dhe për ta përgatitur veten për një pjesës tjetër të rrugës për të vijuar jetën”. (A2 Televizion)