Krahina e Devollit shpall "qytetar nderi" Ridvan Boden

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 19:47 | Aktualitet

Krahina e Devollit shpall "qytetar nderi" Ridvan Boden

Këshilli Bashkiak i Devollit ka vendosur me shumicë votash të shpallë “Qytetar Nderi” ish-ministrin e Financave dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Ridvan Bode, në shenjë vlerësimi për të gjithë kontributin e tij ndër vite për zhvillimin e zonës.

Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje të posaçme të këshillit bashkiak, ku si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, u theksua roli që Bode ka pasur në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Devollit në institucionet qendrore të vendit dhe jo vetëm.

Sipas këshilltarëve bashkiakë, gjatë karrierës së tij politike dhe institucionale, Ridvan Bode ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetje të projekteve zhvillimore për Devollin, duke ndikuar në përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e financave publike dhe krijimin e mundësive për zhvillimin ekonomik të zonës, si infrastukturë, qendra shëndetësore, objekte arsimi, projekte bujqësore, etj.

Ndërkohë, pas largimit nga funksionet publike, ai ka vijuar kontributin duke mos shkëputur asnjëherë kontaktet me zonën.

Vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi” konsiderohet një mirënjohje publike e komunitetit të Devollit për punën dhe përkushtimin e tij ndër vite, si një nga përfaqësuesit politikë që ka mbajtur një lidhje të fortë me qytetarët e zakonshëm.

Ridvan Bode ka mbajtur poste të rëndësishme në jetën politike dhe institucionale të vendit, mes tyre edhe atë të ministrit të Financave, ndërsa për disa mandate ka përfaqësuar në Kuvend qarkun e Korçës, duke qenë një nga figurat më të njohura politike që ka dalë nga Devolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos