Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, duke folur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, u shpreh se prezantimi i tij duhet të bëhet me një ceremoni zyrtare dhe jo vetëm përmes rrjeteve sociale.
Bushkolaj theksoi se ka pasur pakënaqësi të madhe në lidhje me transparencën e procesit të përzgjedhjes së Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.
“Tani për të ardhur tek identiteti i ri i Policisë së Shtetit me zgjedhjen e Ilir Prodës, unë pata një pakënaqësi shumë të madhe në raport me transparencën që u bë gjatë këtij procesi. Nuk u mor vesh as për platformat dhe as për mënyrën se si u bë përzgjedhja”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, edhe mënyra e prezantimit të drejtorit të ri ishte e gabuar.
“Prezantimi i drejtorit të Policisë së Shtetit është një ceremoni zyrtare dhe nuk mund të bëhet vetëm në Facebook. Aty duhet të ketë pranishëm gazetarë dhe njerëz të interesuar për të bërë transparencë dhe për të bërë pyetje”, tha Bushkolaj. (A2 Televizion)