Hektarë të tërë me sera të mbjella me luleshtrydhe janë dëmtuar nga përmbytjet që kanë përfshirë fshatrat e Fierit përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë. Kultivimi i kësaj kulture është i shtrenjtë për fermerët dhe, në kushtet kur nuk marrin dot as prodhim, dëmi ekonomik bëhet edhe më i madh.
“Janë përmbytur të gjitha dhe është një dëm shumë, shumë i madh. Ja shikojeni edhe vetë: pas një muaji e gjysmë, dy muajsh, kjo është akoma me baltë. Ka dalë lumi. Ja, kjo është ajo fjala ‘të marrë lumi’. Kemi ardhur vërdallë, kemi pësuar edhe humbje. Por humbja më e madhe është se kemi mbetur zero; nuk kemi mundësi të vazhdojmë më. Ky është viti më i keq për ne. Ishte 2015-a shumë i keq, por tani është hera e pestë që ne përmbytemi nga lumi”, thonë fermerët për A2 CNN.
Fermerët shprehen se, pavarësisht premtimeve se do të dëmshpërblehen, askush nuk ka ardhur as për të verifikuar dëmet nga afër. “Ata flasin si poetë, flasin shumë bukur, na pëlqen t’i dëgjojmë, por gjërat nuk bëhen në praktikë. Bëhet vetëm politikë. Këtu nuk ka ardhur asnjë komision për të vlerësuar dëmet. Ne i kemi shpresat te shteti, por shteti na ka lënë pas dore. Na kanë premtuar se do të na dëmshpërblejnë gjatë muajit shkurt. Muaji shkurt kaloi. Nuk është se po i vendosim afat, por deri tani nuk kemi parë asnjë lloj vlerësimi. Çfarë llogarie të bëjmë kot? Kush të jep gjë? Ne po punojmë kot. Unë kam qenë në Greqi për vite të tëra dhe bëra gabim që u ktheva. Bëra shumë gabim”.
Fermerët apelojnë për ndihmë, pasi deri më tani, nga përllogaritjet sipërfaqësore, rezulton se janë dëmtuar mbi 300 ton luleshtrydhe. (A2 Televizion)