Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun

Nga A2 CNN
12 Mars 2026, 08:12 | Aktualitet

Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun

Pak orë para nisjes së seancës plenare, policia ka marrë masa të shtuara sigurie për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, e cila do të zhvillohet në të njëjtën kohë me votimin në Parlament mbi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.

Forca të shumta policie janë vendosur rreth godinës së Kuvendit për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës. Një ditë më parë, zona përreth Parlamentit është rrethuar me barriera metalike si masë paraprake për protestën e thirrur nga Partia Demokratike.

Demokratët kanë bërë të ditur se do të protestojnë si jashtë ashtu edhe brenda sallës së seancave plenare, çka ka detyruar institucionet të vendosin masa të përforcuara sigurie.

Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun

Pamjet e siguruara nga A2 CNN tregojnë kordonin policor të vendosur jashtë godinës së Parlamentit. Ndërkohë, mësohet se ligjvënësit socialistë do të mbërrijnë më herët në seancë për të shmangur përplasjet me protestuesit e opozitës, të cilët janë thirrur në orën 10:00.

Në të njëjtën kohë kur jashtë pritet protesta, brenda sallës së Kuvendit pritet një përplasje e fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës për kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut.

Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos