
Shqipëria ka firmosur një tjetër një marrëveshje me kompaninë italiane Fincantieri për prodhimin e mjeteve detare në kantierin e Pashalimanit. Në Podcastin e radhës, të cilin e zhvilloi nga Berlini, kryeministri Edi Rama tha se jo marrëveshje do të rrisë kapacitetet ushtarake.
“Një tjetër moment i rëndësishëm i javës ishte hapja e një rruge tjetër në drejtim të rritjes së kapaciteteve tona ushtarake dhe të ripozicionimit të Shqipërisë në rrjetin e industrisë ushtarake, ku deri para pak kohësh ishim prej dekadash krejt inekzistent. Firmosëm marrëveshjen mes kompanisë italiane Fincantieri, një nga emrat e mëdhenj të ekselencës industriale europiane dhe kompanisë sonë publike Kayo për prodhimin e mjeteve detare në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit, qoftë në funksion të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe për forcat aleate”, njoftoi Rama.
Sipas Ramës, investimi do të krijojë rreth 400 vende të reja pune në fazën e parë dhe do të hapë mundësi trajnimi për të rinjtë, veçanërisht për nxënësit e shkollave profesionale në Vlorë.
“Ky nuk është vetëm një investim i ri dhe shumë i konsiderueshëm, por është dhe një front i ri punësimi me rreth 400 vende të reja pune të mirëpaguara në fazën e parë. Një perspektivë konkrete për të rinjtë dhe të rejat, duke filluar nga nxënëset dhe nxënësit e shkollës profesionale industriale të Vlorës, të cilët do të ftohen të bëhen pjesë e programeve të trajnimit për t’u punësuar në kompaninë e përbashkët që lind nga kjo marrëveshje, Fincantieri Albania”, theksoi kreu i qeverisë.
(A2 Televizion)