Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike drejt efektivëve të policisë. Për shpërndarjen e turmës, policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës.
Raportohet se rreth 10-15 efektivë policie kanë shfaqur shqetësime nga gazi lotsjellës, ndërsa disa prej tyre janë transportuar me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore. Edhe protestues dhe gazetarë janë raportuar të lënduar gjatë përplasjeve.
Një pjesë e protestuesve janë paraqitur me maska kundër gazit dhe mushama, ndërsa grupe të tjera studentësh dhe qytetarësh janë bashkuar me tubimin, duke shtuar numrin e pjesëmarrësve.
Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve të arsimit, strehimit dhe punësimit, teksa dëgjohen edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, protestuesit janë shpërndarë në disa grupime pranë Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë (A2 Televizion)